Vapë ekstreme në Barcelonë, turistët kërkojnë hije dhe ujë
Agjencia Meteorologjike e rajonit të Katalonias, Meteocat, njoftoi se nga 31 korriku i gjithë gadishulli, e mbi të gjitha kryeqyteti Barcelonë, po vuajnë temperatura mbi 40 gradë celcius.
Kjo do të thotë se zyrtarisht Spanja po përjeton valën e tretë të të nxehtit për këtë vit. Rrugët janë të mbushura në çdo orë të ditës me mijëra turistë, vendas e të huaj, që kudo i sheh vetëm me shishe uji në duar, në kërkim të një hijeje.
Meteocat thotë se kjo është temperatura më e lartë rekord e regjistruar në të paktën 110 vitet e fundit, me temperaturën më të lartë të regjistruar në 39,8 gradë celcius, në 6 korrik të vitit 1982.
Kështu pritet të jetë i gjithë gushti, i nxehtë në qytet apo plazh. Temperaturat do të qëndrojnë në 40 gradë, të paktën deri në orët e pasdites.
Edhe pas orës 16, do të jetë përsëri njësoj vapë dhe vetëm mbrëmja e vonë mund të sjellë sadopak freski në këto ditë të zjarrta.