Ukshin Hoti si kujtesë e gjallë kombëtare u rikthye në Teatrin Shqiptar në Shkup me shfaqjen “Përtej Hekurave”

Mbrëmë, në Teatrin Shqiptar Shkup, publiku ndoqi me interes të jashtëzakonshëm premierën e shfaqjes “Përtej Hekurave”, me dramatizim dhe regji nga Naser Shatrolli. Salla u mbush me emocion, heshtje reflektuese dhe vëmendje të plotë për një dramë që prek plagët e historisë shqiptare, mendimin politik, qëndresën dhe idealin e lirisë, shkruan Portalb.mk.

Shfaqja u dallua për atmosferën e saj të ngarkuar emocionale dhe për mënyrën se si e vendosi publikun përballë pyetjeve të mëdha mbi lirinë, drejtësinë dhe përgjegjësinë kombëtare. Përmes dialogëve të fortë dhe interpretimit skenik, “Përtej Hekurave” arriti të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, duke e bërë premierën një mbrëmje që nuk u përjetua vetëm si teatër, por si reflektim i thellë mbi historinë dhe të ardhmen shqiptare.

“Përtej Hekurave”, e ndërtuar mbi veprat “Bisedë përmes hekurave” të Ismail Kadaresë dhe “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit, solli në skenë një përplasje të fuqishme mes letërsisë, filozofisë dhe historisë. Aktorët Ylber Murtezi, Genci Mirzo dhe Visar Etemi e bartën me peshë emocionale këtë rrëfim, duke e bërë publikun të përballet me pyetjen e madhe: a mund të burgoset mendimi?

Regjisori Naser Shatrolli, duke folur për simbolikën e titullit, për Portalb.mk theksoi se ideali i Ukshin Hotit është përtej hekurave dhe nuk mund të mbyllet brenda burgut.

“Mendimi politik, parimet, ideali, janë e përtejme, nuk burgoset dot. Shqiptarët janë të lirë të mendojnë, të punojnë, të shkrijnë zejen e dijes në shkencë, në dije, në punë…”, deklaroi Shatrolli.

Fotografi nga premiera e shfaqjes “Përtej Hekurave”. Foto:Portalb.mk (Faton Curri)

Aktori Ylber Murtezi për Portalb.mk tha se Ukshin Hoti nuk u rikthye në skenë për t’u kujtuar, por për të na kujtuar neve se çfarë ende nuk kemi përmbushur si shoqëri.

“Roli i Ukshinit, përveçse ka peshë historike dhe mbarëkombëtare, njëkohësisht është edhe kafshatë e madhe dhe përgjegjësi për çdo aktor. Sa i përket premierës së mbrëmshme, mendoj se ne si ekip, bashkë me gjithë institucionin teatror, ia dolëm. Euforia dhe emocionet që solli publiku pas shfaqjes ishin rezultat i një pune dy mujore. Mesazhi ishte i qartë: Ukshin Hoti, ndonëse i zhdukur, mbrëmë ishte i pranishëm aty, mes nesh”, tha Murtezi.

Peshë të veçantë premierës i dha edhe prania e Andin Hotit, djalit të Ukshin Hotit, figura e të cilit është në qendër të kësaj drame. Prania e tij në sallë e bëri mbrëmjen edhe më domethënëse, duke i dhënë shfaqjes dimensionin e një homazhi artistik e njerëzor për jetën, veprën dhe idealin e Ukshin Hotit.

Shfaqja solli në skenë një rrëfim të fuqishëm për lirinë, mendimin politik, qëndresën dhe idealin shqiptar që nuk mund të burgoset. Përmes lojës së aktorëve dhe atmosferës së krijuar në skenë, publiku u përball me një dramë që nuk flet vetëm për të kaluarën, por edhe për përgjegjësinë e së tashmes ndaj kujtesës, dinjitetit dhe lirisë.

Publiku e priti shfaqjen me vëmendje dhe interes, ndërsa premiera u përjetua si një ngjarje artistike me ngarkesë të fortë kombëtare. “Përtej Hekurave” nuk është vetëm një shfaqje teatrore, por një thirrje për kujtesë, dinjitet dhe bashkim rreth ideve që mbijetojnë përtej çdo padrejtësie.

Në fund, mesazhi i shfaqjes mbeti i qartë: trupat mund të zhduken, por veprat, idetë dhe ideali i lirisë nuk mund të shuhen.

Për të gjithë ata që nuk patën mundësi ta ndjekin premierën mbrëmë, shfaqja do të jepet edhe sonte në Teatrin Shqiptar në Shkup. Një mundësi tjetër për të përjetuar nga afër emocionin, mesazhin dhe fuqinë që sjell kjo vepër, e cila rikthen Ukshin Hotin jo vetëm si figurë historike, por si prani të gjallë në ndërgjegjen tonë kolektive.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button