U regjistruan 37 zjarre në hapësira të hapura gjatë 24 orëve të fundit, vetëm 3 janë aktive

Janë regjistruar gjithsej 37 zjarre në hapësira të hapura gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa tre prej tyre ende janë aktive, një është nën kontroll dhe pjesa tjetër janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Nga zjarret aktive, pyll i përzier po digjet në Komunën e Studeniçanit, në rajonin e fshatrave Moranë, Vërtekicë dhe Gaber. Bimësi e ulët, pyll i ulët dhe shkurre po digjen në Komunën e Makedonski Brodit, në vendin e quajtur “Vidush”, pranë fshatit Dragov Dol dhe pranë fshatit Lokvicë.
Zjarri i tretë aktiv është në territorin e Komunës së Prilepit, në rajonin e fshatit Çanishte.
“Zjarri ka dy drejtime – njëri drejt fshatit Zoviq, ndërsa tjetri drejt fshatit Krushevicë. Është djegur bimësi e ulët”, sqaruan nga QMK.
Zjarri në deponinë në Dellçevë, sipas informacioneve deri në orën 07:30, është nën kontroll.
Nga zjarret e shuar, dy kanë qenë në territorin e Gjorçe Petrovit, dy në rajonin e Sarajit, dy në Shtip, nga tre në Dolnen, Kërçovë dhe Gostivar, ndërsa nga një në Aerodrom, Haraçinë, Mogillë, Novaci, Radovish, Strumicë dhe Çashkë, si dhe një zjarr që ka prekur territorin e Velesit dhe Zelenikovës.
Zjarrfikësit kanë intervenuar edhe në Vinicë, Koçan, Likovë, Kratovë, Staro Nagoriçan, Rankovcë, Bërvenicë, Tetovë dhe Jegunovcë.
Pyll i përzier ka djegur edhe në komunat e Jegunovcës dhe Sarajit. Fillimisht zjarri ka rënë në territorin e fshatrave Kopancë dhe Tudencë në Komunën e Jegunovcës, ndërsa më pas është përhapur edhe drejt fshatit Bojanë në Komunën e Sarajit.


