Turqia dhe Koreja e Jugut riafirmojnë angazhimin për thellimin e partneritetit strategjik

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, pas bisedimeve në Seul ka deklaruar se Turqia dhe Koreja e Jugut kanë riafirmuar angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në një sërë sektorësh.
“Riafirmuam vendosmërinë tonë të përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet tregtare dhe për t’i rritur investimet e ndërsjella”, tha Fidan në rrjetin social amerikan X.
Ai shtoi se të dy palët diskutuan edhe “iniciativa të përbashkëta” në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë bërthamore, transportin, industrinë e mbrojtjes dhe teknologjinë e avancuar.
Sipas kryediplomatit turk, bisedimet përfshinë edhe “shkëmbim të gjerë pikëpamjesh mbi çështjet aktuale rajonale dhe globale”, veçanërisht zhvillimet në rajonin Azi-Paqësor dhe në Lindjen e Mesme.
Ai theksoi se dy vendet “konfirmuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë” në platformat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, G20-tën, si dhe MIKTA-n, një partneritet joformal mes Meksikës, Indonezisë, Koresë së Jugut, Türkiyes dhe Australisë.
Fidan gjithashtu njoftoi se mbajti një ligjëratë para studentëve në Universitetin e Koresë, ku ndau vlerësimet e Turqisë mbi “sfidat me të cilat përballet sistemi ndërkombëtar dhe e ardhmja e qeverisjes globale”.
“Kujtimi i çmuar i dëshmorëve dhe veteranëve tanë do të vazhdojë t’i frymëzojë brezat e ardhshëm si simbol i miqësisë së përjetshme mes dy vendeve. Ne do të vazhdojmë ta thellojmë partneritetin strategjik midis Turqisë dhe Republikës së Koresë mbi bazën e përfitimit të ndërsjellë”, tha Fidan.



