“Shqipëria nuk është në shitje”, protestat për Zvërnecin nuk ndalen

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës dhe kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura.

Në ditët e fundit në vend ka patur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Protesta me moton “Shqipëria nuk është në shitje”, është mbajtur sot në Tiranë për të pestën ditë me radhë, duke mbledhur mijëra qytetarë, kryesisht të rinj.

Protesta e cila është e iniciuar nga aktivistë dhe e mbështetur nga qytetarët, ka filluar në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Protestuesit kanë qëndruar edhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, duke e kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protesta me moton “Shqipëria nuk është në shitje”, filloi disa ditë më parë, ndërsa gjatë ditës së djeshme u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama, ka deklaruar se projekti në Zvërnec po i ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis, ndërkohë ai u ka bërë thirrje protestuesve për bashkëbisedim.

Gjithashtu, në medie është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërkohë prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button