Trumpi kthen mbi 8 mijë ushtarë të shkarkuar se kishin refuzuar që të vaksinoheshin për Covid

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar disa urdhra ekzekutivë që kanë të bëjnë me riformësimin e ushtrisë amerikane.
Me një urdhër të nënshkruar të hënën vonë ndalohen nismat për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI). Me këtë veprim do të hiqet përdorimi i preferencave të mbështetura në racë ose gjini në forcat e armatosura, thanë Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Sigurisë së Atdheut, raporton televizioni BBC.
Përmes një urdhri tjetër u rikthyen në detyrë më shumë se 8 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura, të cilët ishin shkarkuar për shkak se kishin refuzuar që ta merrnin vaksinën kundër Covid-19.
Shtëpia e Bardhë shtoi se me një urdhër tjetër ekzekutiv, zyrtarët ngarkohen me hartimin e një politike rreth ushtarëve transgjinorë. Me këtë veprim nuk u ndalohet menjëherë shërbimi në ushtri anëtarëve të këtij komuniteti.
Me një urdhër tjetër kërkohet fillimi i procesit të zhvillimit të një sistemi të mbrojtjes raketore të ngjashëm me atë që përdoret nga Izraeli në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan i nënshkroi këta urdhra përderisa ndodhej në aeroplanin zyrtar, “Air Force One”.
Zyrtarët e mbrojtjes kanë thënë më parë se shërbimet ushtarake në mënyrë kolektive nuk i kanë arritur synimet për rekrutim për 41 mijë pjesëtarë të personelit në vitin fiskal 2023.