Trump takohet me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me rëndësi të lartë

Presidenti Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për takimin e tyre të tetë ballë për ballë që nga rikthimi i presidentit amerikan në detyrë, transmeton Anadolu.
Netanyahu mbërriti në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë në orën 10:57 me kohën lokale, ndërsa takimi, i cili nuk ishte i hapur për mediat, përfundoi 90 minuta më vonë.
“Presidenti Trump ka përfunduar takimet e tij në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas (Volodymyr) Zelenskyy dhe kryeministrin Netanyahu. Të dyja takimet ishin pozitive dhe produktive”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Izraeli nuk publikoi menjëherë një përmbledhje të takimit.
Bisedimet me Netanyahun, i cili erdhi në SHBA për të marrë pjesë në funeralin e senatorit Lindsey Graham, pritej të përqendroheshin te lufta rajonale me Iranin, zbatimi i kornizës së sigurisë Izrael-Liban dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, tha Shtëpia e Bardhë për Anadolu të hënën.
Vizita zhvillohet në një kohë kur mes dy liderëve ka fërkime publike. Trump së fundmi kritikoi kryeministrin izraelit për shprehjen publikisht të shqetësimeve lidhur me objektet bërthamore të Iranit, në vend që t’i diskutonte ato privatisht. Ai gjithashtu hodhi poshtë kundërshtimin e Netanyahut ndaj shitjeve të avionëve luftarakë amerikanë për Turqinë duke deklaruar se askush nuk do t’i diktojë eksportet amerikane të armëve.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Trump tha të hënën se të dy janë “mjaft afër” sa i përket çështjes së Iranit, ndërsa pranoi se ka një “dallim të vogël” në qasjet e tyre.



