Treni me 150 pasagjerë del nga shinat në Angli: Vagonat përmbysen, 20 të plagosur

Një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë qytetit Lewes, në juglindje të Anglisë, duke shkaktuar plagosjen e 20 personave, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.Një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë qytetit Lewes, në juglindje të Anglisë, duke shkaktuar plagosjen e 20 personave, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Në tren ndodheshin rreth 150 pasagjerë. Ai po udhëtonte nga Londra drejt Sussex-it kur doli nga shinat, sipas shërbimeve të emergjencës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë të paktën tre vagonë të përmbysur, ndërsa në zonë mbërritën menjëherë ambulanca dhe ekipet e emergjencës.
Zëvendësshefi i Shërbimit të Ambulancës, Michael Bradfield, tha se 20 personat e transportuar në spitalet e zonës kishin pësuar “shkallë të ndryshme lëndimesh”, ndërsa dy prej tyre ishin “seriozisht të plagosur”.
Sipas Policisë Britanike të Transportit, të gjithë pasagjerët u evakuuan në mënyrë të sigurt nga vagonët e trenit.
Shkaku i daljes së trenit nga shinat mbetet ende i paqartë. Ngjarja përfshiu një tren të kompanisë Southern Rail, e cila operon linja që lidhin Londrën me zonat jugore të Anglisë.
Network Rail, operatori i infrastrukturës hekurudhore, tha se po bashkëpunon me Degën e Hetimit të Aksidenteve Hekurudhore për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Aksidentet e rënda hekurudhore janë relativisht të rralla në Britani. Megjithatë, në qershor, një përplasje mes dy trenave të pasagjerëve në veri të Londrës shkaktoi vdekjen e drejtuesit të njërit prej trenave dhe plagosjen e 162 personave. Hetimi paraprak zbuloi se drejtuesi kishte kaluar një semafor të kuq.



