Tre të mitura në Kosovë vetëlëndohen në duar, dyshohet se u nxitën nga Tik-Toku

Policia e Kosovës po e heton një rast “shtytje në vetëvrasje” pasi tri nxënëse në Gjakovë të hënën kanë lënduar veten në duar.
“Drejtoresha e DKA-së ka njoftuar se tri nxënëse janë viktima të fenomenit të vet–lëndimit. Tri viktimat femra kosovare të mitura, janë dërguar në tretman mjekësor. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.
Brenda një viti janë raportuar tri raste të një fenomenit të vetëlëndimit te disa fëmijë në Komunën e Gjakovës. Kjo tendencë në rritje ka ngritur shqetësim të madh te prindërit dhe mësimdhënësit, gjithandej vendit.
Një nga shkaqet e këtij fenomeni është vlerësuar të jetë edhe ndikimi i sfidave të rrezikshme në platformat sociale.
Sfidat e rrezikshme nga Tiktoku kanë qenë vazhdimisht aktuale. Rasti i fundit që ndodhi ishte në Fushë Kosovë e Lipjan, ku 20 fëmijë, të frymëzuar nga një lojë në TikTok u vetëlënduan.