Toshkovski: Vozitësit mësuan ku janë kamerat e “Safe City” – po sjellim një mënyrë të re inçizimi

Sistemi “Safe City” do të zgjerohet edhe me kamera mobile të vendosura në automjetet e policisë, përfshirë edhe ato civile. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se një numër i madh i automjeteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme do të pajisen me pajisje që do të regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut, kryesisht tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
Sipas Toshkovskit, qëllimi është të ndalet praktika e vozitësve që respektojnë rregullat vetëm në vendet ku dinë se ka kamera, ndërsa në pjesët e tjera të rrugëve vozitin me shpejtësi të papërshtatshme.
“Tani i kemi mësuar ku janë kamerat dhe dimë se ku ka kamerë vozitim ashtu si duhet, ndërsa ku nuk ka kamerë përsëri kemi një lloj tjetër të drejtimit të automjetit. Në të ardhmen, një numër i madh i automjeteve të policisë, përfshirë edhe ato civile, do të pajisen me pajisje me të cilat mund të konstatojmë disa shkelje”, njoftoi Toshkovski.
Ai sqaroi se shkeljet e regjistruara nga automjetet e policisë do të futën drejtpërdrejt në sistemin elektronik.
“Vozitësit nuk do të mund të hamendësojnë më se ku do të jenë automjetet e policisë, ndërsa ato do të mund të konstatojnë shkelje që do të futën drejtpërdrejt në sistemin digjital”, tha ministri.
Toshkovski për momentin nuk zbuloi sa automjete policore do të pajisen me pajisjet e reja, as kur do të fillojë aplikimi i tyre, por njoftoi se kontrolli mobil duhet të kontribuojë për disiplinë dhe siguri më të madhe në trafik dhe në rrugët ku nuk ka kamera fikse.



