OBSH: Gjashtë masa shëndetësore dhe mjedisore mund të shpëtojnë 1.6 milionë jetë në vit

Zgjerimi i gjashtë masave që mbulojnë shëndetin publik, shërbimet thelbësore dhe mbrojtjen e mjedisit në mbarë botën mund të parandalojë rreth 1.6 milion vdekje në vit, duke gjeneruar triliona dollarë përfitime ekonomike dhe fiskale, tha sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), transmeton Anadolu.
Në një raport të publikuar përpara Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, që fillon javën e ardhshme në qytetin turk të Antalyas, agjencia e shëndetësisë e OKB-së vlerësoi se zbatimi i këtyre masave globalisht mund të sjellë 3.9 trilionë dollarë përfitime vjetore të mirëqenies ekonomike dhe 5.4 trilion dollarë shtesë në fitime fiskale.
Ndërhyrjet e propozuara përfshijnë sisteme paralajmërimi të hershëm për nxehtësinë ekstreme, akses të përmirësuar në ujë të pijshëm të sigurt, objekte sanitare dhe higjienike, energji më të pastër shtëpiake dhe reforma në çmimet e karburanteve fosile.
“Kriza klimatike është një krizë shëndetësore, por shumë nga dëmi që shkakton mund të parandalohet me mjetet që tashmë i kemi”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në raport.
Sipas raportit, çdo dollar i investuar në pesë nga masat mund të gjenerojë rreth 24 dollarë përfitime. Sistemet e paralajmërimit për shëndetin nga nxehtësia mund të japin kthime veçanërisht të larta, me përfitime të parashikuara prej 835 dollarësh për çdo dollar të investuar.
Reformimi i çmimeve të karburanteve fosile, përfshirë heqjen e subvencioneve joefikase, mund të parandalojë 1.2 milion vdekje në vit dhe të gjenerojë fitimet më të mëdha ekonomike dhe fiskale, tha raporti. Gjashtë masat gjithashtu mund të ndihmojnë në shmangien e 16.7 miliardë tonë emetimesh të dioksidit të karbonit.
OBSH-ja i nxiti qeveritë të rrisin investimet në këto ndërhyrje, duke vënë në dukje se vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mund të shohin përfitimet më të mëdha.



