Industria gjermane e metaleve dhe elektrike përballet me humbjen e 300 mijë vendeve të tjera të punës

Industria gjermane e metaleve dhe ajo elektrike mund të humbasin edhe 300 mijë vende pune gjatë dy deri në tre viteve të ardhshme, pasi kompanitë po përballen me kapacitete të pashfrytëzuara dhe kosto të larta, paralajmëroi një shoqatë e punëdhënësve, transmeton Anadolu.
Kreu i shoqatës së punëdhënësve “Gesamtmetall”, Oliver Zander i tha gazetës gjermane “Bild” se këto industri kanë humbur tashmë 350 mijë vende pune gjatë shtatë viteve të fundit, duke i kushtuar ekonomisë 42 miliardë euro në vit në vlerë të shtuar.
“Duke pasur parasysh shfrytëzimin e ulët të kapaciteteve, vetëm në industrinë e metaleve dhe atë elektrike rrezikojnë të humbasin edhe 300 mijë vende pune gjatë dy deri në tre viteve të ardhshme”, tha Zander.
Ai paralajmëroi se shkurtimet e mëtejshme mund të shkaktojnë një humbje shtesë vjetore prej rreth 35 miliardë eurosh në vlerë të shtuar dhe të ulin numrin e të punësuarve nga rreth 3,7 milionë në 3,4 milionë. “Kjo do të ishte shifra më e ulët që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990”, tha Zander.
Sipas raportimit, prodhuesit gjermanë po përballen me presion në rritje nga konkurrenca më e lirë kineze, kostot e larta të punës dhe energjisë, burokracia e tepruar dhe tarifat doganore amerikane. Sindikatës “IG Metall” iu referua dështimeve të drejtuesve të kompanive, veçanërisht të drejtuesve të industrisë automobilistike si një nga faktorët që qëndrojnë pas vështirësive të industrisë.
Paralajmërimi vjen në mes të një mosmarrëveshjeje për pagat, ku “IG Metall” kërkon rritje prej 5 për qind të pagave, ndërsa përfaqësuesit e sindikatës bëjnë thirrje për greva paralajmëruese. Sindikalistët e hodhën poshtë si të pamjaftueshme ofertën e punëdhënësve për një rritje prej 1,8 për qind deri në fund të vitit 2028.
“Situata është katastrofike. Shumë kompani po luftojnë për mbijetesë dhe nuk ka asnjë shenjë përmirësimi”, tha Zander, duke e cilësuar kërkesën e sindikatës si “të papërgjegjshme” dhe duke paralajmëruar se ajo mund të vërë në rrezik vende të tjera pune.



