Tërmet financiar te Volkswageni, humbje prej 5.8 miliardë eurosh në vetëm tre muaj

Gjiganti gjerman i automobilave “Volkswagen” ka regjistruar rënie të të ardhurave dhe humbje të mëdha financiare gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Të ardhurat nga korriku deri në shtator kanë rënë për 6.3 për qind, në 75.3 miliardë euro, ndërsa numri i automjeteve të dorëzuara ka shënuar rënie prej 14.3 për qind, në 1.89 milionë.
Si pasojë, kompania ka regjistruar humbje neto prej 5.8 miliardë eurosh. Një ndikim të madh në këto rezultate ka pasur edhe tregu kinez, raporton “Der Spiegel”.
Ndër arsyet kryesore për rezultatet e dobëta janë zhvlerësimi prej 6.4 miliardë eurosh i lidhur me markën “Porsche”, dobësimi i aktivitetit afarist në Kinë, si dhe shpenzimet për ristrukturimin e grupit. Sipas raportimeve, vetëm gjatë tremujorit të tretë, “Volkswagen” ka pasur shpenzime të jashtëzakonshme në vlerë prej 7.8 miliardë eurosh.
Edhe pse zhvlerësimi i lidhur me “Porsche” nuk nënkupton dalje reale të parave nga kompania, ai ka ndikuar ndjeshëm në uljen e fitimit operativ të raportuar.
“Rezultatet për nëntë muajt e parë tregojnë qartë se nuk duhet të humbim kohë dhe se duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri”, deklaroi drejtori financiar i grupit, Arno Antlitz.
Ndërkohë, sipas portalit „B-92“, kjo situatë mund të çojë në largimin nga puna të rreth 50 mijë punonjësve.
Marka „Porsche“, dikur një nga segmentet më fitimprurëse të grupit, prej kohësh po përballet me krizë. Sfidat kryesore përfshijnë rënien e shitjeve në Kinë, politikat doganore të SHBA-së, si dhe ndryshimet në strategjinë e kompanisë për elektrifikimin e automjeteve.
Edhe pse rezultatet e saj afariste kohët e fundit kanë shfaqur shenja stabilizimi, presioni financiar mbi të gjithë grupin „Volkswagen“ mbetet i lartë.



