Andonovski: Qendra e të dhënave do të ndërtohet vitin e ardhshëm në afërsi të Shkupit

Ndërtimi i qendrës kombëtare të të dhënave (Data Center) mund të fillojë në vitin 2027, nëse procedurat zhvillohen sipas planit, ka bërë të ditur ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në një intervistë për televizionin “Sitel”.
Ai theksoi se lokacioni për ndërtimin e saj është përzgjedhur në afërsi të Shkupit, ndërsa Ministria e Transportit po punon për përgatitjen e dokumentacionit urbanistik.
Njëkohësisht, po zhvillohen bisedime me kreditorë të mundshëm dhe partnerë ndërkombëtarë për financimin e projektit, i cili është pjesë e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes. Parashihet që 30 për qind e financimit të sigurohet përmes një granti.
Andonovski tha se ministria po zhvillon bisedime edhe me investitorë të mundshëm për ndërtimin e qendrave private të të dhënave, por theksoi se nuk do të mbështesë projekte që do të dëmtonin mjedisin jetësor.
“Projekti është në zhvillim, po ecën nëpër të gjitha fazat ashtu siç duhet dhe jam i bindur se në vitin 2027 do të arrijmë ta vendosim gurthemelin”, deklaroi ai.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se është publikuar Strategjia Kombëtare për Përdorimin e Inteligjencës Artificiale, e cila aktualisht është e hapur për konsultime. Miratimi i një ligji për inteligjencën artificiale është planifikuar për vitin e ardhshëm.
“Ne nuk krijojmë modelet tona të mëdha gjuhësore dhe nuk mund të ndikojmë në mënyrën se si zhvillohet bota, sepse jemi një shtet i vogël. Por mund të gjejmë mënyra për t’i mbrojtur modelet që krijohen këtu dhe të kërkojmë nga të gjithë ata që publikojnë lajme, portale, televizione apo çfarëdo lloj tjetër mediumi, që të deklarojnë se një përmbajtje e krijuar prej tyre është realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, në mënyrë që të parandalojmë keqpërdorime të këtij lloji”, deklaroi Andonovski.



