Të paktën 17 nxënës kanë vdekur nga zjarri në një shkollë në Kenia
Të paktën 17 nxënës humbën jetën në një zjarr që shpërtheu në një shkollë në Kenian qendrore mbrëmjen e së enjtes, tha policia.
Dyshohet se numri i të vdekurve mund të rritet pasi më shumë se dhjetë studentë të tjerë u dërguan në spital me djegie të rënda, raporton BBC.
Shkaku i zjarrit në një shkollë fillore në qarkun Nyeri është ende nën hetim, tha zëdhënësja e policisë Resila Onyango për mediat lokale.
Një ekip hetuesish është vendosur në shkollë për të përcaktuar rrethanat e aksidentit, shtoi ajo.
Kryqi i Kuq i Kenias tha se po ofronte mbështetje psikosociale për nxënësit, mësuesit dhe familjet e prekura.
Zjarret në shkolla, veçanërisht shkollat me konvikt, janë relativisht të zakonshme në Kenia.
Në vitin 2017, 10 studente u vranë në një zjarrvënie në një shkollë të mesme vajzash në kryeqytet, Nairobi.
Zjarri më vdekjeprurës në shkollë në Kenia ndodhi më shumë se 20 vjet më parë, në juglindje të Nairobit, kur të paktën 67 studentë humbën jetën.