Të paktën 10 të vdekur nga aksidenti masiv me dhjetëra automjete në Bullgari

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku, ku janë përfshirë dhjetëra automjete në një segment të autostradës në juglindje të Bullgarisë.
Aksidenti ndodhi të martën, në një pjesë të rrugës të mbuluar nga mjegulla, ndërsa automjetet u përplasën në të dyja anët e autostradës.
Lajmin e raportoi agjencia bullgare e lajmeve BTA, duke iu referuar guvernatorit të rajonit të Jambollit, Georgi Chalakov, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, në aksident janë përfshirë rreth 50 automjete, ndërsa numri i viktimave ka arritur në të paktën 10 persona.
Pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur ekipe të policisë, zjarrfikësve dhe emergjencës mjekësore.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë një numër të madh veturash dhe kamionësh të grumbulluar në të dyja anët e rrugës, disa prej tyre të përmbysur, të shkatërruar rëndë ose të dalë jashtë autostradës.
Kryeinspektori Todor Mishinev nga Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Jamboll i tha televizionit Nova se disa persona vazhdonin të ishin të bllokuar brenda automjeteve të tyre.
“Për momentin, përparësi kanë operacionet e shpëtimit. Pasi ato të përfundojnë, do të zhvillohen veprimet procedurale dhe hetimore”, deklaroi ai.
Ndërkohë, sipas BTA-së, 27 persona të lënduar janë dërguar në spitalet e rajonit për trajtim mjekësor.
Operacionet e shpëtimit dhe ndërhyrjes po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.



