Takimi i MÇE Murtezani me Drejtorin Nojkirh nga Këshilli i Evropës

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte takim me Klaus Nojkirh, Drejtor për koordinimin e programeve në Këshillin e Evropës, ku u shqyrtuan prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në kontekst të integrimeve evropiane dhe bashkëpunimit strategjik me Këshillin e Evropës. Ministri Murtezani theksoi përkushtimin e Qeverisë për përforcimin e mëtejmë të sundimit të së drejtës, avancimin e proceseve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut – sfera që janë themeli i mandatit të Këshillit të Evropës. Ai theksoi se bashkëpunimi me Këshillin e Evropës është i rëndësisë vendimtare për zbatimin e reformave në gjyqësi dhe luftën kundër korrupsionit, me qëllim të përmbushjes së standardeve më të larta evropiane dhe mbështetjen e rrugës tonë evropiane.
Në fokus të bisedës ishin programet e përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, siç është “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, të cilat në mënyrë aktive mbështesin proceset reformuese në vend dhe rajon. Murtezani dhe Nojkirh diskutuan edhe për angazhimin e Komisionit Evropian për efikasitetin e drejtësisë (CEPEJ) dhe Grupit të vendeve kundër korrupsionit (GRECO), të cilët sigurojnë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe mbështetje teknike në këta sektorë kyç.
Bashkëbiseduesit theksuan rolin e rëndësishëm të Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup në zbatimin e projekteve dhe monitorimin e progresit në terren, me qëllim që të sigurohet zbatimi i standardeve më të larta në praktikë. Ministri Murtezani dhe Drejtori Nojkirh u dakorduan se përpjekjet e përbashkëta do të vazhdojnë me dinamikë edhe më të fuqishme, duke i pasur parasysh prioritetet e Qeverisë së re dhe domosdoshmërinë e progresit reformues që do ta afrojnë Maqedoninë e Veriut deri në qëllimin e saj përfundimtar – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button