“Superushqimi” që po pushton fushat në veri të Indisë

Në shtetin verilindor të Indisë, Bihari, ku jeton Shahni, rriten 90 për qind të makhanas që gjenden në tërë botën. Gjethet e bimës së zambakut janë të mëdha në formë rrethore dhe qëndrojnë në majë të pellgut. Por farat formohen në bishtaja nën ujë dhe mbledhja e tyre është një proces rraskapitës.
Ashtu si babai dhe gjyshi para tij, Phool dev Shani dikur siguroi jetesën duke u zhytur poshtë pellgjeve me baltë të thella 2.4 metra.

“Zhytesha nga 2.1 metra deri 2.4 metra në ujë për orë të tëra gjatë ditës – duke dalë në sipërfaqe për të marrë frymë pas tetë apo dhjetë minutash”, tregon Shahni.

Ndërsa poshtë në ato thellësi të turbullta ai po korrte farat e një lloj zambaku të ujit të quajtur “euryale ferox”.

Të njohura si “makhanas”, këto lloj farash të zambakut të ujit vlerësohen për vlerat e tyre ushqyese, duke qenë të pasura me vitaminë B, proteina dhe fibra. Disa e cilësojnë si “superushqim”.

Shpesh hahen si meze e lehtë, e po ashtu përdoren edhe në pjata të ndryshme, duke përfshirë në puding, si dhe duke u përzier me miell.

Në shtetin verilindor të Indisë, Bihari, ku jeton Shahni, rritet 90 për qind e makhanas që gjenden në tërë botën.

Gjethet e bimës së zambakut janë të mëdha në formë rrethore dhe qëndrojnë në majë të pellgut. Por farat formohen në bishtaja nën ujë dhe mbledhja e tyre është një proces rraskapitës.

“Ndërsa zhytem poshtë, balta të hyn në veshë, sy, hundë dhe gojë. Shumë prej nesh kanë probleme me lëkurë për shkak të kësaj. Po ashtu bima është e mbuluar me gjemba, që të japin prerje në të gjithë trupin gjatë mbledhjes së farave”, ka thënë Shahni.

Por vitet e fundit fermerët kanë ndryshuar procesin e kultivimit. Bimët tani po rriten në fusha, në ujë shumë më të cekët.

Vjelja e farave në ujë të cekët nënkupton që Shani mund të fitojë dyfishë më tepër para gjatë ditës.

“Është ende punë e rëndë, por unë jam krenar me traditën time. Unë kam tre fëmijë dhe do të përkujdesem që njëri nga djemtë e mi të vazhdojë këtë traditë”, ka thënë Shahni.

Manoj Kumar është një nga ata që qëndron prapa ndryshimit të kultivimit të makhanës.

Rreth dhjetë vjet më parë ai e kuptoi se do të ishte e vështirë për të zgjeruar kultivimin e saj në pellgje të thella.

Tash një shkencëtar i lartë në Qendrën Kombëtare të Hulumtimit për Makhana (NRCM), ai ndihmoi në zhvillimin e kultivimit të zambakëve të ujit në fushat me ujë të cekët.

Gjatë katër apo pesë vjetëve të fundit kjo teknikë mori hov.

Me risitë tona, rritja e ‘arrave të dhelprës’ tash është po aq e lehtë sa çdo kulturë e rritur në tokë. E vetmja sasi e ujit që nevojitet është rreth 30 centimetra. Punëtorët nuk duhet të punojnë me orë të tëra në ujë të thellë”, ka shpjeguar Kumar.

Dhe pas eksperimenteve me lloje të ndryshme të farave, qendra e tij gjeti një varietet më elastik dhe produktiv, që thotë se mund të trefishojë të ardhurat e fermerëve.

Kumar thotë se kultivimi i makhanës ka ndihmuar disa fermerë të përballen me kushte më të paqëndrueshme atmosferike dhe përmbytjet që kanë goditur Biharin në vitet e fundit.

Tash NRCM po punon për të krijuar makineri që korrin farat. E gjithë kjo risi ka tërhequr gjithnjë e më tepër fermerë.

Në vitin 2022, sipërfaqja e përdorur për kultivimin e “arrave të dhelprës” ishte 35,224 hektarë, një rritje thuajse trefishë gjatë dhjetë vjetëve.

Dhirendra Kumar është një fermer që ka kaluar së fundi në kultivimin e makhanës.

Edhe pse u rrit në një fermë, ai nuk donte të shkonte hapave të babait të vet.

“Si fermerë ne gjithmonë kultivonim grurë, thjerrëza dhe mustardë, por përfunduam duke humbur shumë para. Shumicën e kohës vërshimet shkatërronin të korrat”, ka treguar ai.

Ndërsa studionte, ai erdhi në kontakt me një shkencëtar që po punonte në kultivimin e makhanës dhe vendosi të eksperimentonte me të korrat në fermën e tij familjare.

“Rezultatet ishin të mahnitshme. Në vitin e parë bëra 432 dollarë fitim”, tregon ai.

Tani ai rrit zambakë të ujit në 17 hektarë tokë.

“Në ëndrrat e mia më të çmendura s’do të mendoja të merresha me rritjen e ‘arrave të dhelprës’, pasi ishte një punë intensive, që kryhej normalisht nga peshkatarët”, ka thënë Kumar.

Por, ndryshimi i të korrave ka hapur mundësi punësimi edhe për gratë. Kumar tash punëson rreth 200 gra vendase që mbjellin farat e zambakut të ujit.

“Qëllimi im është të siguroj punë për sa më shumë fermerë”, ka thënë ai.

Nuk ka vetëm në fusha që janë bërë risi.

Pos që është një prej kultivuesve kryesorë të makhanës, Madhubani Makhana e përpunon atë për eksport në të gjithë botën.

Tradicionalisht, pasi makhanat korren, ato lahen, piqen dhe më pas goditen me një vegël të ngjashme me çekanin.

“Metoda është e papërpunuar, johigjienike dhe e rrezikshme. Është e mundimshme, kërkon kohë dhe disa herë çon në lëndime dhe djegie”, tha Shabhu Prasad, themelues dhe shef ekzekutiv i Madhubani Makhanas.

Në partneritet me NRCM-në, kompania e tij ka zhvilluar një pajisje që pjek dhe nxjerr makhanën.

“Kjo na ka ndihmuar të rrisim cilësinë dhe prodhimin e ‘arrave të dhelprës’”, ka thënë Prasad.

Tre nga makinat janë inkorporuar në fabrikën e tij të prodhimit në Madhubani, në veri të Biharit.

Ndërsa inovacioni në bujqësi dhe në përpunimin e makhanës po e rrit prodhimin, Prasad nuk mendon se kjo do të jetë e mjaftueshme për të parë rënie të çmimit.

“Duke pasur parasysh rritjen e kërkesës globale për makhanën, do të nevojiten rritje të konsiderueshme të prodhimit për të arritur çdo ulje të konsiderueshme të çmimeve”, thotë Prasad.

I kthyer në fermën e tij, Dhirendra Kumar mendon se kultivimi i makhanës do të sjellë ndryshime të gjera.

“Është fillimi i inovacionit në Bihar kur bëhet fjalë për korrjen e ‘arrave të dhelprës’. Kjo do të ndryshojë peizazhin e shtetit”, thotë ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button