Serbia nis stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake me NATO-n

Serbia dhe NATO kanë nisur stërvitjen e tyre të parë të përbashkët ushtarake, e cila do të zgjasë deri më 23 maj në bazën “Jug” dhe në poligonin “Borovac” pranë Bujanocit. Sipas informacioneve nga NATO dhe Ministria serbe e Mbrojtjes, qëllimi i stërvitjes është zbatimi i taktikave, teknikave dhe procedurave që përdoren në operacionet për mbështetje dhe ruajtje të paqes.

Në aktivitet marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të forcave të armatosura serbe, ndërsa të pranishëm janë edhe ushtarë nga Italia, Rumania dhe Turqia. Organizatorë të stërvitjes janë Komanda e Forcave Tokësore të Serbisë dhe Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s nga Napoli.

Ushtarë, vëzhgues dhe planifikues ushtarakë nga disa vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Malin e Zi, po ashtu marrin pjesë në këtë ngjarje.

Stërvitja realizohet në kuadër të programit Partnership for Peace, në të cilin Serbia merr pjesë që nga viti 2006, megjithëse Beogradi zyrtar vazhdon ta ruajë politikën e tij të neutralitetit ushtarak.

Ky zhvillim ndodh në një kohë kur Serbia përpiqet të balancojë mes bashkëpunimit me partnerët perëndimorë, marrëdhënieve me Rusinë dhe zhvillimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Serbia njoftoi ndërprerjen e disa stërvitjeve ushtarake me partnerë ndërkombëtarë, por vazhdoi me aktivitete të caktuara, përfshirë stërvitjet “Platinum Wolf” me vendet anëtare të NATO-s.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button