Belgjika planifikon krijimin e një brigade të re të sigurisë pas protestave të dhunshme në vend

Ministritë e Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme të Belgjikës po diskutojnë planet për të krijuar një brigadë të re të lëvizshme për të forcuar sigurinë gjatë trazirave dhe demonstratave të dhunshme, raportoi sot agjencia e lajmeve Belga, transmeton Anadolu.

Ministri i Mbrojtjes, Theo Francken e përshkroi njësinë e propozuar si një “Xhandarmëri 2.0” që vepron nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Propozimi vjen pas dhunës së fundit që rrethoi demonstratat në disa qytete evropiane, përfshirë Francën dhe Belgjikën, ku shpërthyen përleshjet gjatë fundjavës.

Policia belge arrestoi 195 persona gjatë protestave kundër politikave arsimore dhe shkurtimeve të buxhetit në Bruksel dhe Liezhë të shtunën. “Kur ka trazira, siguria duhet të rritet”, tha Francken duke theksuar nevojën për kapacitet shtesë operacional për t’iu përgjigjur dhunës në rritje.

Sipas marrëveshjes së propozuar, Ministria e Mbrojtjes do të ofrojë trajnim ushtarak për oficerët dhe do t’i vërë ata në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Ne kemi nevojë për një rezervë operacionale me trajnim ushtarak. Kur dhuna është kaq ekstreme, ne duhet të jemi në gjendje të mbrojmë qytetarët”, tha Francken, duke shtuar se kryeministri Bart De Wever është në dijeni të planeve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bernard Quintin konfirmoi se diskutimet janë duke u zhvilluar, duke e përshkruar iniciativën si zgjerim të bashkëpunimit ekzistues midis policisë dhe ushtrisë. Ai përmendi përpjekjet e përbashkëta për të siguruar vende të caktuara dhe patrullimet e kryera së bashku me policinë hekurudhore si shembuj të bashkëpunimit që ekziston tashmë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button