Bastisje në 66 lokale dhe kazino: Alkool për të miturit, lojëra ilegale fati dhe punëtorë në të zezë!

Policia, në bashkëpunim me shërbimet inspektuese, ka kryer kontrolle të gjera në 66 lokale dhe kazino në mbarë vendin, duke zbuluar një sërë shkeljesh ligjore.
Gjatë aksionit, të zhvilluar natën mes 17 dhe 18 tetorit, në një lokal janë gjetur katër të mitur pas mesnatës, ndërsa në dy objekte është konstatuar se u shërbehej alkool personave nën moshën madhore.
Në Kërçovë është zbuluar organizim i paligjshëm i lojërave të fatit. Policia ka sekuestruar sende që lidhen me rastin dhe ka paralajmëruar kallëzim përkatës pas përfundimit të procedurës.
Gjatë kontrolleve janë ndaluar edhe tre shtetas të huaj për qëndrim të parregulluar, si dhe një person që refuzoi të identifikohej.
Inspektorët kanë konstatuar gjithashtu punëtorë të padeklaruar, mungesë të lejeve të punës, moslëshim të kuponëve fiskalë dhe shkelje të kushteve higjienike e të sigurisë kundër zjarrit.
Në rajonin e Prilepit, policia arrestoi një drejtues automjeti që rezultoi me 2,04 promilë alkool në gjak.
MPB-ja njoftoi se kontrollet e përforcuara në lokalet e gastronomisë dhe kazinotë do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.



