Autoritetet kapin ujkun në Kapishtec të Shkupit dhe paralajmërojnë për rrezikun e mbajtjes ilegale të kafshëve të egra

Një ujk është kapur mbrëmë në mes të lagjes Kapishtec në Shkup, pasi më herët ishte vërejtur duke lëvizur nëpër lagje me zinxhir dhe qafore, gjë që tregon se mbahej si kafshë shtëpiake.
Pas denoncimit nga qytetarë të shqetësuar, në terren intervenuan menjëherë ekipet e MPB-së, ndërsa më pas mbërritën edhe shërbimet profesionale nga Kopshti Zoologjik i Shkupit dhe përfaqësues të Qyteti i Shkupit, pas së cilës kafsha u kap me sukses dhe në mënyrë të sigurt.
Ujku aktualisht është transportuar në mënyrë të sigurt në Kopshtin Zoologjik të Shkupit, ku do të strehohet dhe do t’i sigurohen kushte dhe kujdes i përshtatshëm. Në periudhën në vijim do të qëndrojë në karantinë nën mbikëqyrje të vazhdueshme shëndetësore nga personel profesional.
Fatmirësisht, incidenti përfundoi pa pasoja, pasi bëhet fjalë për një kafshë të butë dhe të qetë. Megjithatë, autoritetet edhe një herë apeluan se mbajtja e kafshëve të egra si kafshë shtëpiake është e ndaluar dhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Ujqërit nuk janë kafshë shtëpiake dhe nuk duhet të mbahen në kushte të papërshtatshme apo në robëri, pasi bëhet fjalë për kafshë të egra me instinkte dhe nevoja natyrore.
Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse vërejnë mbajtje ilegale të kafshëve të egra, rastet t’i raportojnë menjëherë te shërbimet kompetente.
Nga Kopshti Zoologjik falënderuan MPB-në, Qytetin e Shkupit, punonjësit e ZOO Shkupit – Sasho Pançev dhe Tina Mickovska – si dhe të gjitha shërbimet që morën pjesë në intervenimin e shpejtë dhe të koordinuar.
Reagim dhe apel erdhi edhe nga kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili theksoi se ky rast paraqet rrezik serioz për mjedisin përreth.



