Sulejmani i përgjigjet ASH-së: Para se të reagoni politikisht, informohuni dhe verifikoni faktet

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka reaguar ndaj kritikave të Aleancës për Shqiptarët lidhur me përzgjedhjen e “mësimdhënësve më të mirë” për vitin shkollor 2025/2026.
Sulejmani thekson se reagimi i ASH-së bazohet në fakte të pasakta, duke sqaruar se konkursi nuk është organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nga Lidhja e Punonjësve të Arsimit, e cila ka përcaktuar kriteret dhe ka zhvilluar procesin e përzgjedhjes. Sipas tij, Ministria nuk ka shpallur konkursin dhe nuk ka zgjedhur fituesit.
Ai nënvizon gjithashtu se në konkursin e këtij viti nuk është paraqitur asnjë kandidat shqiptar. Për këtë arsye, sipas Sulejmanit, mungesa e shqiptarëve në listën e të shpërblyerve nuk mund t’i atribuohet Ministrisë dhe as të paraqitet si “përjashtim institucional”.
Sulejmani sqaron edhe pjesëmarrjen e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve, duke theksuar se ajo ka marrë pjesë si e ftuar.
“Para se të bëhen akuza dhe të krijohen ‘skandale’ politike, duhet të verifikohen faktet”, shprehet Sulejmani.
Ai e përmbyll reagimin me mesazhin: “Faktet para politikës, profesionalizmi para propagandës.”
Ceremonia për 13 mësimdhënësit më të mirë u zhvillua më 5 tetor, në Ditën Botërore të Mësuesve, ndërsa mirënjohjet u ndanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Lidhja e Punonjësve Arsimorë.



