Stubb: Rusia nuk ka gjasa të sulmojë NATO-n, nuk ka kuptim të testojë aleancën

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se nuk beson që Rusia do të rrezikonte një sulm ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, duke vlerësuar se një veprim i tillë “nuk do të kishte asnjë kuptim”.
Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, Stubb tha se nuk sheh prova konkrete që Rusia do të ishte në gjendje apo do të kishte interes të niste luftë kundër NATO-s, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e mundshëm në vitet e ardhshme.
Sipas tij, NATO është aleanca ushtarake më e fuqishme në botë, me kapacitete të mëdha në armatim konvencional, raketa dhe armë bërthamore, ndërsa Rusia aktualisht po përballet me humbje të mëdha në luftën në Ukrainë.
“Rusia po përpiqet të përhapë frikë në Evropë përmes luftës së informacionit”, tha Stubb, duke shtuar se Moska nuk mund të përballojë hapjen e një fronti të dytë.
Presidenti finlandez theksoi gjithashtu se mbështetja për Ukrainën mbetet thelbësore për sigurinë e Evropës, duke deklaruar: “Nëse Ukraina humb, ne humbim”.



