Steinmeier thotë se Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE dhe KiE

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe se është i interesuar për stabilitet në rajon, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën në Berlin.

Në një shkrim në Facebook, Steinmeier tha se Kosova “duhet të punojë për të krijuar kushte të nevojshme për këtë”.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.

Ndërkohë, ajo dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të këtij viti, për shkak se u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Presidenca e Kosovës tha në një njoftim të mërkurën se biseda mes Osmanit dhe Stainmeier “u përqendrua në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Osmani është duke qëndruar në Gjermani për një vizitë punë, ku të martën u takua edhe me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Osmani, sipas njoftimit, shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.

Në lidhje me Procesin e Berlinit, Osmani “e ka cilësuar atë shtysë të fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces”, thuhet në njoftim.

Kohëve të fundit, Gjermania është shprehur kritike ndaj Kosovës, për shkak të mospranimit të saj për ta hequr ndalesën ndaj importit të mallrave serbe.

Qeveria kosovare vendosi ndalesë ndaj mallrave të prodhuara nga Serbia në qershor të vitit 2023, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë në vend.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se nëse është e nevojshme, vendet e Ballkanit do të ecin përpara drejt bashkëpunimit rajonal edhe pa Kosovën. /rel/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button