Specialja zgjat deri më 27 nëntor procesin e parë të apelit në rastin e 4-shes së UÇK-së

Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka vendosur që afati për dorëzimin e njoftimeve për apel ndaj aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve të jetë 27 nëntori 2026.

Vendimi u mor të martën pas kërkesës së Mbrojtjes për zgjatje më të madhe të afatit.

Mbrojtja ka kërkuar që afati për dorëzimin e njoftimit për apel të shtyhej deri më 15 dhjetor 2026.

Në kërkesën e saj, mbrojtja argumentoi se gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit përbëjnë arsye për më shumë kohë në përgatitjen e apelimit.

Si faktorë të tjerë u përmendën afatet e tjera procedurale që përkojnë me përgatitjen e apelit, mungesa e përkthimit të aktgjykimit në shqip dhe fakti se të akuzuarit nuk mund ta lexojnë aktgjykimin në gjuhën angleze.

Mbrojtja argumentoi gjithashtu se avokatët duhet të kenë kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar aktgjykimin, për të marrë udhëzimet e të akuzuarve dhe për të përcaktuar bazat e mundshme të apelit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e kundërshtoi në parim zgjatjen e afatit. ZPS-ja ka kërkuar që i njëjti afat të zbatohej edhe për çdo njoftim për apel që mund të dorëzohej nga Prokuroria.

Në vendimin e tij, Paneli i Apelit vlerësoi se gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit, së bashku me afatet e tjera që përkojnë me procesin e apelimit, përbëjnë arsye të mjaftueshme për zgjatjen e afatit.

Paneli theksoi se koha shtesë do t’u mundësonte palëve të përgatisnin parashtresa kuptimplota për apel dhe se një zgjatje e tillë nuk do të ndikonte në mënyrë të paarsyeshme në efikasitetin e procedurës.

Megjithatë, Paneli nuk e pranoi kërkesën për shtyrjen deri më 15 dhjetor.

Sipas vendimit, një afat deri më 15 dhjetor do ta trefishonte periudhën e parashikuar nga Rregullorja.

Paneli vlerësoi gjithashtu se fakti që në raste të tjera ndërkombëtare janë dhënë zgjatje të ngjashme nuk nënkupton automatikisht se e njëjta periudhë duhet të aplikohet edhe në këtë rast. Për këtë arsye, Paneli vendosi një zgjatje prej gjashtë javësh.

Vendimi i Panelit të Apelit është pjesë e fazës së re procedurale pas aktgjykimit në çështjen Thaçi dhe të tjerët, duke i hapur rrugë procesit të apelimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button