Sot pritet të nisë gjykimi ndaj Grubit: Për çfarë akuzohet?

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të nisë procesi gjyqësor kundër ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë, të akuzuar për keqpërdorime të lidhura me funksionimin e SHA “Lotaria Shtetërore”.
Prokuroria Themelore Publike Shkup më 13 gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, për të cilët pretendon se gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë ndërmarrë së bashku veprime përmes të cilave kanë tejkaluar kompetencat dhe detyrat e tyre, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm të konsiderueshëm “Lotarisë Shtetërore”. Sipas aktakuzës, dëmi arrin në 507.632.173 denarë.
Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, për të cilën parashihet dënim me burgim deri në pesë vjet.
Lënda, përmes sistemit të shpërndarjes automatike, i është caktuar gjyqtares Biljana Shuplinovska-Jovevski.
I akuzuari i parë, ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Perparim Bajrami, ende është i paarritshëm për organet e ndjekjes dhe ndodhet në arrati. Prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet paraburgim prej 30 ditësh, duke filluar nga momenti i gjetjes së tij.
Për Artan Grubin, ndërkaq, është propozuar vazhdimi i arrestit shtëpiak, së bashku me masat e kujdesit – konfiskimin e përkohshëm të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të një dokumenti të ri udhëtimi apo dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror.
Meqenëse aktakuza është dorëzuar më 13 gusht, në përputhje me Ligjin për Procedurën Penale, masa e paraburgimit mund të zgjasë më së shumti 60 ditë, nga dorëzimi i propozimit deri në përfundimin e shqyrtimit kryesor.
Grubi ishte arrestuar në shkurt të këtij viti në pikën kufitare Bllacë, pasi kishte qenë në arrati për më shumë se 14 muaj. Pas marrjes në pyetje në Prokurori, në vend të paraburgimit, i cili më herët i ishte caktuar në mungesë, për shkak të arsyeve të sigurisë iu caktua arrest shtëpiak.



