“Shtuka” 30 ditë paraburgim në Shutkë! Penalja pranon kërkesën e Prokurorisë për fajdexhinjtë e dyshuar në Kumanovë

Gjykata Penale ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit për t’i mbajtur 30 ditë në paraburgim të dyshuarin e parë D.P. me nofkën “Shtuka” dhe të dyshuarin e dytë M.K. me dyshimin që kanë kryer disa vepra penale si zhvatje, shantazh, fajde dhe pastrim parash. Sipas organit të hetuesisë kanë shkatërruar grupin famëkeq të Kumanovës, duke u bazuar në dyshimet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, janë marrë masat për kallëzime penale të katër personave që u vërtetuan nga gjykatësi hetues, ndërsa i pesti Z.R. gjendet në arrati jashtë shtetit.
Për shkak të ekzistencës së bazave ligjore, përkatësisht rreziku i arratisjes, rreziku i përsëritjes ose përfundimit të veprës penale, si dhe rreziku i pengimit të hetimit duke ndikuar te dëshmitarët, të dyshuarve D.P. dhe M.K. iu caktua paraburgim deri në 30 ditë. Ndërsa për të dyshuarin L.K. u caktua masa e arrestit shtëpiak, kurse për të dyshuarin D.ZH. u përcaktua masa e kujdesit, përkatësisht sekuestrimi i dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të një dokumenti të ri udhëtimi për kalimin e kufirit shtetëror”, tha Gjykata Penale.
Një hua prej 4 mijë eurosh, e cila duhej të kthehej brenda një muaji, u shndërrua në makth për një grua. Edhe pse ajo ia kishte kthyer të gjithë shumën personit që ia kishte dhënë borxh, bashkë me kamatën e dakorduar prej 2.500 eurosh, kërkesat ndaj saj nuk përfunduan aty. Sipas Prokurorisë, personi që i kishte dhënë paratë kërkoi më pas ta përdorte llogarinë e saj bankare për të qarkulluar para të përfituara nga zhvatja. Pasi gruaja refuzoi, nisën kërcënimet.
“Një tjetër viktimë kishte marrë dy herë nga 180 mijë denarë hua, në vitin 2021. Paratë i nevojiteshin për trajtimin mjekësor të bashkëshortes. Edhe pse i kishte kthyer të gjitha mjetet sipas marrëveshjes, të dyshuarit vazhduan t’i kërkonin pagesa shtesë në emër të kamatës. Sipas Prokurorisë, duke e shfrytëzuar këtë gjendje varësie, ata e detyruan edhe këtë person që llogarinë e tij bankare ta përdornin për transferimin e shumave të mëdha të parave të përfituara nga zhvatja”, tha Prokuroria.
Madje, sipas hetimeve, asaj iu kërkua që automjetin e saj ta vendoste si peng për borxhe që në të vërtetë nuk ekzistonin. Për këtë qëllim, të dyshuarit përgatitën dokumente fiktive, falsifikuan nënshkrimin e saj dhe i vërtetuan te noteri pa dijeninë e saj. Prokuroria thotë se grupi nuk u ndal me kaq. Duke shfrytëzuar dokumentet e falsifikuara, ata vazhduan t’i bënin presion gruas që t’ua dorëzonte automjetin dhe të shlyente një borxh të pretenduar prej një milion denarësh.



