Grupi për të drejtat e njeriut do t’i kërkojë GJNP-së të lëshojë urdhërarreste për Trumpin dhe zyrtarë amerikanë

Një grup avokatësh dhe aktivistësh për të drejtat e njeriut planifikon t’i paraqesë javën e ardhshme prova Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke i kërkuar asaj të kërkojë fletarrestime për presidentin amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA-së për krime të dyshuara në Gaza, raportoi The National, transmeton Anadolu.

Anëtarët e Aleancës së Tatimpaguesve Kundër Gjenocidit (TAAG) pritet të udhëtojnë më 11 nëntor drejt Hagës për të paraqitur materiale lidhur me atë që grupi e cilëson si rolin e dyshuar të zyrtarëve amerikanë në ndihmën dhe mbështetjen e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në enklavën palestineze.

Grupi bëri të ditur se parashtresa e tij, e përgatitur pas gati një viti mbledhjeje të provave, përfshin deklarata të betuara nga mjekë që kanë punuar në Gaza, dëshmi të dëshmitarëve okularë, dëshmi të informatorëve, pamje filmike dhe dokumente lidhur me mbështetjen politike, ushtarake, diplomatike dhe financiare të SHBA-së për Izraelin.

Akuzat nuk janë shqyrtuar nga GJNP-ja dhe paraqitja e planifikuar e materialeve nuk nënkupton se gjykata i ka pranuar pretendimet apo ka vendosur të kërkojë fletarrestime.

Sipas raportimit, delegacionit pritet t’i drejtohet edhe raportuesja speciale e OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese, krahas juristëve ndërkombëtarë, profesionistëve shëndetësorë dhe aktivistëve për të drejtat e palestinezëve.

Paraqitja e planifikuar e materialeve vjen në një kohë tensionesh mes Washingtonit dhe GJNP-së lidhur me hetimet e gjykatës.

Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj zyrtarëve të GJNP-së pas lëshimit nga gjykata të një fletarrestimi për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button