Shqiptarët ndër më të varfrit në Europë, por paguajnë 83% më shtrenjtë për të njëjtat produkte: Studimi alarmant

Shqipëria vijon të mbetet tregu me barrën më të rëndë për konsumatorët në Ballkanin Perëndimor, sipas studimit më të fundit të ekonomistit Ilir Çiko, të prezantuar në konferencën vjetore të organizuar nga Canadian Institute of Technology.

Studimi “Indeksi i Konkurrencës në Treg (MCI) për Ballkanin Perëndimor: 2026” tregon se shqiptarët paguajnë mesatarisht 83% më shumë për të njëjtat produkte ushqimore të shitura nga të njëjtat kompani europiane krahasuar me tregjet e Bashkimit Europian, ndërkohë që fuqia e tyre blerëse është vetëm 41% e mesatares së BE-së. Sipas analizës, Shqipëria renditet e fundit në rajon për nivelin e konkurrencës në treg, ndërsa fenomeni i çmimeve të larta u kushton konsumatorëve shqiptarë deri në 260 milionë euro në vit.

Me kënaqësi prezantova në Konferencën vjetore të organizuar nga Canadian Institute of Technology studimin ‘Indeksi i Konkurrencës në Treg (MCI) për Ballkanin Perëndimor: 2026’ si pjesë e tretë e një serie studimesh që tregojnë nivelin e konkurrencës në tregjet e Shqipërisë dhe rajonit shprehur dhe matur si aftësi e tyre për të lejuar devijimin e çmimeve në tregjet përkatëse nga ato të BE-së, për produkte identike, të tregtuara nga të njëjtët operatorë europianë – si faktor përcaktues për deformimin e lartë të evidentuar në treg.

Studimi tregon se të gjitha vendet e rajonit kanë pësuar përmirësim të lehtë krahasuar me vitin e mëparshëm, përjashtuar Maqedonisë së Veriut që tregon përkeqësim të lehtë, dhe Malit të Zi që ka patur përmirësim të konsiderueshëm.

Shqipëria mbetet tregu me barrën më të rëndë mbi konsumatorin në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me indeksin MCI 83 dhe barrën më të lartë për konsumatorin në rajon (100). Për konsumatorin e thjeshtë shqiptar, rezultatet dëshmojnë se produktet që ai blen në markete europiane në Shqipëri, zhveshur nga efekti i ndryshëm i TVSH-së, kushtojnë mesatarisht 83% më shumë se saktësisht të njëjtat produkte të shitura saktësisht nga të njëjtat kompani në tregun Europian, ndërkohë që fuqia blerëse e tij, është vetëm 41% e mesatares së BE.

Megjithë thirrjen publike, asnjë nga operatorët e përfshirë në studimin e parë, para dy viteve, nuk ka reflektuar ndonjë ulje të dukshme cmimi në treg, ndonëse Leku vijon të forcohet ndaj Euros.

Po kështu, asnjë nga institucionet publike që kanë detyrë të monitorojnë tregun dhe mbrojnë konsumatorin, nuk ka marrë ndonjë masë për këtë fenomen që u kushton 130-260 milionë euro në vit konsumatorëve shqiptarë, ndonëse prej kohësh, janë plotësisht në dijeni për sa më sipër. Këtë vit, dy ekonomi të reja referuese përfshihen në studim: Kroacia (pjesë e rajonit dhe anëtare e BE-së) dhe Ukraina, si vend i përfshirë nga lufta. Të dy vendet rezultojnë me nivel konkurrence shumë më të mirë se vendet e rajonit (MCI 8).

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button