Këshilli i muslimanëve i kërkon qeverisë kanadeze të ndërmarrë veprime konkrete kundër islamofobisë

Këshilli Kombëtar i Muslimanëve Kanadezë i ka bërë thirrje qeverisë kanadeze që të ndërmarrë hapa konkretë dhe të zbatojë reforma gjithëpërfshirëse për të adresuar rritjen e ndjenjës anti-muslimane ose islamofobisë në vend, transmeton Anadolu.
Grupi musliman solli në vëmendje sulmin e qershorit të viti 2021 në qytetin London në Ontario, ku një person përplasi qëllimisht automjetin e tij mbi një familje muslimane, duke vrarë katër persona.
Ai tha se incidenti tregoi se islamofobia mbetet një problem i rrënjosur thellë dhe sistemik në Kanada. Deklarata vuri në dukje se Kanadaja vazhdon të regjistrojë numrin më të lartë të sulmeve vdekjeprurëse që synojnë muslimanët midis vendeve të G7-së dhe se kjo çështje kërkon veprim urgjent.
Grupi gjithashtu nxori një udhëzues (manual) për trajtimin e islamofobisë. Nëpërmjet manualit, Këshilli bëri thirrje për reforma gjithëpërfshirëse institucionale për të mbrojtur më mirë muslimanët në Kanada, krijimin e mekanizmave efektivë të llogaridhënies dhe veprime konkrete të qeverisë.
Më 6 qershor 2021, një sulmues drejtoi një kamionçinë drejt një familjeje muslimane me pesë anëtarë që po ecnin në një trotuar në London, Ontario.
Sulmi vrau gjyshen 74-vjeçare Talat Afzaal, djalin e saj 46-vjeçar Salman Afzaal, gruan e tij 44-vjeçare Madiha Salman dhe vajzën e tyre 15-vjeçare Yumna Salman.
I plagosur rëndë ka mbetur djali 9-vjeçar i familjes, Fayez Salman.
Sulmuesi, 22-vjeçari Nathaniel Veltman u arrestua në bulevardin “Cherryhill”, rreth 3.7 milje nga vendi i ngjarjes.
Policia tha se sulmi ishte “i paramenduar” dhe “i motivuar nga urrejtja”, ndërsa kryeministri i atëhershëm Justin Trudeau e përshkroi atë si një “sulm terrorist”.
Veltman u dënua me burgim të përjetshëm në shkurt 2024 me akuzat për vrasje dhe tentativë vrasjeje.



