Shefi i diplomacisë turke nesër udhëton për vizitë zyrtare dyditore në Britani

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan nesër do të udhëtojë për vizitë zyrtare dyditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë britanikë për çështje të tregtisë, mbrojtjes dhe sigurisë rajonale, raporton Anadolu.

Sipas burimeve diplomatike turke, Fidan gjatë vizitës në Londër pritet të takohet me sekretaren e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper si dhe me deputetë dhe zyrtarë të tjerë britanikë. Ai po ashtu do të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga Qendra për Historinë Globale dhe Programi për Rendin Global në Universitetin e Oksfordit si dhe do të takohet me përfaqësues të komunitetit turk dhe biznesit në Britani.

Sipas burimeve diplomatike, Fidan pritet të shprehë kënaqësi për zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe të theksojë nevojën për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Një nga temat kryesore të diskutimeve do të jetë përditësimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes dy vendeve, me qëllim rritjen e volumit të tregtisë dypalëshe. Fidan pritet të theksojë rëndësinë e rreth 500 mijë qytetarëve me origjinë turke në Mbretërinë e Bashkuar si një urë e rëndësishme e lidhjeve njerëzore, kulturore dhe ekonomike mes dy vendeve.

Në bisedime, ai pritet të ngrejë shqetësimin për vonesat në trajtimin e kërkesave për leje qëndrimi të përhershme për shtetasit turq dhe të kërkojë veprime më të shpejta për zgjidhjen e këtij problemi. Po ashtu pritet të theksohet vullneti i fortë për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe në sektorin e energjisë, përfshirë energjinë bërthamore dhe të rinovueshme.

Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe zhvillimet rajonale, përfshirë negociatat Iran-SHBA, situata në Ngushticën e Hormuzit dhe përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.

Fidan pritet të theksojë nevojën për një qëndrim të unifikuar ndërkombëtar ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza dhe rëndësinë e përfshirjes së krizës humanitare në Palestinë në krye të agjendës ndërkombëtare si dhe mbështetjen për stabilitet afatgjatë dhe rindërtim në Siri.

Marrëdhëniet dypalëshe

Vizita vjen pas kontakteve të fundit të nivelit të lartë mes dy vendeve. Kryeministri britanik, Keir Starmer vizitoi Turqinë më 27 tetor të vitit 2025, ku u nënshkruan marrëveshje për blerjen e avionëve “Eurofighter Typhoon”.

Fidan ka vizituar edhe më parë Londrën në tetor të vitit 2024 dhe ka marrë pjesë edhe në një takim për Ukrainën të organizuar nga Mbretëria e Bashkuar. Ai është takuar me sekretaren Cooper në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya.

Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Turqisë. Volumi i tregtisë arriti në 26 miliardë dollarë në vitin 2025, me synimin për ta rritur në 30 miliardë dollarë.

Sipas të dhënave diplomatike, Britania është tregu i dytë më i madh i eksportit për Turqinë dhe ndër investitorët më të mëdhenj në vend. Nga viti 2002 deri në 2025, investimet britanike në Turqi kanë arritur në 14.5 miliardë dollarë ndërsa investimet turke në Britani në 3.5 miliardë dollarë. Në vitin 2025, 4.3 milionë turistë britanikë vizituan Turqinë.

Sipas burimeve diplomatike, negociatat për zgjerimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë janë duke vazhduar, me synim përfundimin e tyre në vitin 2026.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button