SHBA, vazhdojnë ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve në Karolinën e Jugut dhe të Veriut

Përderisa vazhdon beteja kundër zjarreve në Karolinën e Jugut dhe Karolinën e Veriut në SHBA, për disa banorë të rajonit është dhënë urdhër për evakuim, transmeton Anadolu.
Sipas mediave amerikane, Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) raportoi se rreziku nga zjarri është rritur në dy shtete për shkak të kushteve të motit të thatë.
Guvernatori i Karolinës së Jugut, Henry McMaster në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetin social X tha se ka shpallur gjendje emergjente për shkak të më shumë se 175 zjarreve në rajon.
Zyrtari i Shërbimit Pyjor në Karolinën e Jugut, Darryl Jones tha se zjarret të cilat kanë djegur një sipërfaqe prej rreth 1.700 hektarë, janë intensifikuar në rajonin Pee Dee dhe se po shihet një rritje e konsiderueshme e zjarreve në pjesën tjetër të shtetit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Pyjeve, shumica e zjarreve në rajone të ndryshme janë vënë nën kontroll. Për banorët në “Pyjet e Karolinës” për të cilët më parë ishte dhënë urdhër evakuimi, është njoftuar se ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre pasi zjarret janë vënë nën kontroll.
Zyrtarët thanë se banorëve të zonës së Georgetownit u kanë dhënë udhëzime evakuimi për shkak të zjarrit.
Autoritetet në Karolinën e Veriut deklaruan se po vazhdojnë ndërhyrjet ndaj zjarreve në rajone të ndryshme dhe se është lëshuar urdhër evakuimi për banorët e rajonit Polk, në të cilin janë djegur rreth 202 hektarë tokë.