Shiroka Pula mbështet bashkimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhje

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim përfaqësuesit e Listës “Koalicioni Shqiptar”, nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët e uruan për zgjedhjen në detyrën e presidentes, transmeton Anadolu.
Zyra e Presidentes njofton se presidentja Shiroka Pula i përgëzoi për bashkimin në një listë të përbashkët zgjedhore, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”, në të cilën janë bashkuar tetë subjekte politike shqiptare për të garuar së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë.
Shiroka Pula u uroi atyre sukses në zgjedhjet e së dielës, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit politik për përfaqësimin sa më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Sipas presidentes Shiroka Pula, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë do të mundësonte që shkeljet sistematike të të drejtave të tyre nga ana e autoriteteve serbe të denoncohen më fuqishëm, ndërsa çështjet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin vëmendjen dhe përfaqësimin e duhur institucional.
Në fund të takimit, presidentja Shiroka Pula theksoi nevojën për pjesëmarrje sa më masive të shqiptarëve në zgjedhjet e 25 tetorit, në mënyrë që “Koalicioni Shqiptar” të arrijë rezultat sa më të mirë dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë të jetë sa më i fuqishëm.



