SHBA u bën thirrje qytetarëve amerikanë në Liban: Largohuni menjëherë
Ambasada amerikane në Bejrut u ka kërkuar qytetarëve të saj që të largohen nga Libani me “çdo biletë të disponueshme”, pas tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme. Edhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, deklaroi se situata rajonale mund të përkeqësohet me shpejtësi.
Irani është zotuar për një hakmarrje të ashpër kundër Izraelit, të cilin e fajëson për vdekjen e shefit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran të mërkurën. Vrasja e tij erdhi disa orë pasi Izraeli vrau komandantin e Hezbollahut Fuad Shukr në Bejrut.
Ministria e Jashtme e Jordanisë ka lëshuar gjithashtu këshilla për qytetarët e saj, duke u thënë atyre në Liban që të largohen menjëherë dhe duke paralajmëruar të tjerët që të mos udhëtojnë atje.
Ambasada amerikane deklaroi të shtunën se ata që zgjedhin të qëndrojnë në Liban duhet të përgatitin plane emergjence dhe të jenë të përgatitur të strehohen në vend për një periudhë të gjatë kohore.
Sakaq, disa linja ajrore kanë pezulluar dhe anuluar fluturimet, dhe shumë janë shitur, por “opsionet e transportit komercial për t’u larguar nga Libani mbeten të disponueshme”.
Pentagoni tha se po vendoste anije luftarake dhe avionë luftarakë shtesë në rajon për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e mundshme nga Irani dhe përfaqësuesit e tij.
Në prill, Irani nisi një sulm ajror ndaj Izraelit duke përdorur 170 dronë, 30 raketa lundrimi dhe të paktën 110 raketa balistike. Kjo ishte si hakmarrje për bombardimin izraelit të një konsullate iraniane në Damask, Siri. Shumë kanë frikë se hakmarrja e Iranit me këtë rast mund të marrë një formë të ngjashme.