Kurti pas aktgjykimit në Hagë: Padrejtësi e papranueshme dhe ndëshkim i madh e i dëmshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kurti e ka cilësuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre si një padrejtësi të papranueshme, duke kritikuar ashpërsinë e vendimit.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kryeministrit të Kosovës, aktgjykimi është shpallur formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo, sipas tij, nuk duhet të barazohet me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, është shprehur ai.
Kurti ka kërkuar që vendimi të ndryshohet në shkallën e apelit, duke theksuar se një rishqyrtim duhet të bëhet sa më shpejt.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, ka thënë kryeministri.
Në fund të reagimit, Kurti ka shprehur solidaritet me familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.
“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka përfunduar Kurti.



