ShBA-ja urdhëron ndërprerje të operacioneve sulmuese kibernetike ndaj Rusisë

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do t’i pauzojë operacionet kibernetike sulmuese kundër Rusisë, thonë zyrtarët, përderisa po vazhdon një shtytje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Arsyeja për këtë vendim nuk është deklaruar publikisht dhe nuk është e qartë se sa mund të zgjasë kjo pauzë e operacioneve. Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së ka refuzuar që të komentojë, raporton televizioni BBC.
Udhëzimi i ri thuhet se erdhi pasi para se Trumpi të përfundonte në një grindje televizive me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, të premten në Shtëpinë e Bardhë, përcjell gazeta “Nacionale”.
Vendimi për ndërprerjen e operacioneve kibernetike amerikane kundër Rusisë erdhi nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në një udhëzim të ri për Komandën Kibernetike të ShBA-së, i thanë zyrtarët televizionit “CBS Neës”, partner i BBC-së.
Kjo masë lë pyetje për fuqinë e kundërpërgjigjes amerikane në fushën kibernetike ndaj hakimeve të dyshimta ruse, ndërhyrjes në zgjedhje dhe përpjekjeve për sabotazh që kanë vënë në shënjestër vende perëndimore të cilat ia kanë mbajtur anën Ukrainës gjatë luftës.
Qindra ose mijëra pjesëtarë të personelit mund të preken nga urdhri i sekretarit Hegseth, sipas “The Record”, publikim rreth sigurisë kibernetike që e publikoi i pari lajmin. Operacionet që e kanë për qëllim mbrojtjen digjitale të Ukrainës ka gjasa që gjithashtu të preken.
Në një deklaratë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes tha se nuk do ta komentojë çështjen për shkak shqetësimeve rreth operacionit, por shtoi: “Nuk ka prioritet më të madh për sekretarin Hegseth se siguria e aparatit luftues në të gjitha operacionet, përfshirë domenin kibernetik.”
Sekretari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz, mohoi se është diskutuar një ndryshim politikash, por pranoi në një intervistë në televizionin CNN se do të jenë “të gjitha llojet e “karotave e shkopinjve” (teknika e shpërblimeve dhe ndëshkimeve) për t’ia sjellë fundin kësaj lufte”.
Anëtarë të lartë të ekipit të Trumpit – të cilët muajin e kaluar u takuan me homologë rusë në Arabinë Saudite, përderisa Ukraina ishte e përjashtuar – rishtazi e kanë mbrojtur ndryshimin e qasjes së tyre ndaj Moskës në rrafsh më të gjerë./Nacionale