SHBA-ja njofton aktakuzë kundër ish-presidentit kuban Raul Castro

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, njoftoi të mërkurën se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka ngritur akuza penale ndaj ish-presidentit kuban Raul Castro, transmeton Anadolu.
“Po njoftojmë një aktakuzë që ngarkon Raul Castron dhe disa të tjerë me komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë”, tha Blanche gjatë një ceremonie për nder të katër vullnetarëve të vrarë në vitin 1996, kur avionë kubanë rrëzuan dy aeroplanë të një grupi mërgimtarësh me bazë në Majami.
“Z. Castro dhe të tjerët akuzohen gjithashtu për krime të tjera, përfshirë shkatërrimin e avionëve dhe katër akuza individuale për vrasje”, shtoi ai.
Të dhënat gjyqësore tregojnë se aktakuza ndaj Castros, e depozituar në gjykatën federale në Majami, e ngarkon atë me një akuzë për komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë, katër akuza për vrasje dhe dy akuza për shkatërrim avionësh.



