SHBA-ja kthen avionët e furnizimit me karburant në Lindjen e Mesme mes përshkallëzimit me Iranin

SHBA-ja ka nisur rikthimin e avionëve për furnizim ajror me karburant në bazat e saj në Lindjen e Mesme, në një kohë të tensioneve në rritje me Iranin ndërsa zyrtarë izraelitë besojnë se Washingtoni do t’i japë “dritën e gjelbër” Tel Avivit për të rifilluar sulmet ndaj Teheranit, thanë sot mediat izraelite, transmeton Anadolu.
“Vlerësohet se amerikanët do t’i japin ‘dritën e gjelbër’ një përgjigjeje izraelite në Iran”, raportoi transmetuesi publik izraelit KAN.
Kanali 12 tha se struktura e mbrojtjes së Izraelit po monitoron nga afër situatën pas shkëmbimit të sulmeve mes Washingtonit dhe Teheranit sot.
Sipas medias, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të zhvillojë këtë mbrëmje një konsultim të sigurisë me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, për të diskutuar zhvillimet lidhur me Iranin.
Më herët sot, presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja “me shumë gjasa” do ta godasë përsëri Iranin të mërkurën në mbrëmje, pas sulmeve amerikane gjatë natës, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Trump gjithashtu tha se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar muajin e kaluar me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit është “i përfunduar”.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha sot herët se ka kryer sulme me raketa dhe dronë duke vënë në shënjestër 85 objekte ushtarake amerikane në rajon, përfshirë portin Salman dhe selinë e Flotës së Pestë të Marinës së SHBA-së në Bahrein si dhe bazën ajrore “Ali Al-Salem” në Kuvajt.
Sulmet erdhën pasi Komanda Qendrore e Ushtrisë së SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se kishte kryer një raund të ri sulmesh ndaj Iranit, duke goditur më shumë se 80 objektiva si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.



