Shasivari dhe Ulusoy dakordohen për thellimin e bashkëpunimit në gjyqësor

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar një takim pune me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoy, ku është konfirmuar përkushtimi i përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e gjyqësorit dhe mbështetjen e proceseve reformuese.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në takim u diskutua për reformat në gjyqësor, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, si dhe realizimin e vizitave studimore, trajnimeve të specializuara dhe aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet institucioneve gjyqësore të të dy vendeve.
“Partneriteti i fortë ndërkombëtar është një nga parakushtet kyçe për reforma të suksesshme dhe të qëndrueshme në gjyqësor. Turqia është partneri ynë i rëndësishëm, ndërsa shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe praktikave të mira do të kontribuojë për një sistem gjyqësor më efikas, më transparent dhe më modern”, deklaroi ministri Shasivari.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit u vlerësua edhe bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndërsa të dyja palët shprehën gatishmëri për organizimin e konferencave ndërkombëtare e dypalëshe, vizitave studimore dhe programeve të trajnimit për gjyqtarë, prokurorë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Si një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm u veçua edhe Programi për shkëmbimin e përvojave në fushën e krimit kibernetik, i realizuar në kuadër të Projektit të Krimit Kibernetik të Këshillit të Evropës.
Gjatë takimit, ambasadori Ulusoy, në emër të ministrit turk të Drejtësisë, Akin Gurlek, i dorëzoi ministrit Shasivari ftesën zyrtare për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar “Ardhmëria e Drejtësisë”, i cili do të mbahet më 8 dhe 9 tetor në Stamboll. Në këtë samit do të marrin pjesë ministra të drejtësisë nga vende të ndryshme, funksionarë të lartë shtetërorë, ekspertë, profesorë dhe përfaqësues të sektorit të drejtësisë.
Në përfundim të takimit, Shasivari dhe Ulusoy u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve duhet të intensifikohet edhe më tej, me synim ndërtimin e një sistemi gjyqësor modern, efikas dhe të pavarur përmes projekteve konkrete, lidhjeve institucionale dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të përvojave profesionale.
