Serbia dhe Shqipëria do të hapin konsullata në Shkodër dhe Bujanoc, paralajmëron Gjuriq

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, dhe homologu i tij shqiptar, Ferit Hoxha, kanë rënë dakord për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc, raporton ATA, duke iu referuar një deklarate të Gjuriqit për radion shtetërore serbe.
Sipas Gjuriqit, hapja e këtyre konsullatave do të jetë një hap drejt forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa ai i ka vlerësuar pozitivisht bisedimet e fundit me ministrin Hoxha.
“Jam i kënaqur që pata bisedime kaq të mira me ministrin shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje parimore për hapjen e konsullatave të dy vendeve në Shkodër dhe Bujanoc”, ka deklaruar Gjuriq.
Dy ministrat zhvilluan një takim në margjinat e takimit ministror për luftën kundër terrorizmit politik, të thirrur nga sekretari amerikan i Shtetit, Mark Rubio, i cili u mbajt dy javë më parë në Uashington.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Gjuriq tha se Serbia ka përshpejtuar zbatimin e reformave që lidhen me agjendën e Bashkimit Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në BE mbetet interes kombëtar i Beogradit.



