Sánchez shpall masa të ashpra kundër rrjeteve sociale, Musk e fyen dhe e quan diktator

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka paralajmëruar një paketë të gjerë masash kundër platformave digjitale, duke synuar rritjen e përgjegjësisë ligjore, luftimin e përmbajtjes së paligjshme dhe mbrojtjen e të miturve në rrjetet sociale.
“Nga java e ardhshme, qeveria ime do të zbatojë veprime konkrete për të vendosur rregull dhe përgjegjësi në hapësirën digjitale”, deklaroi Sánchez.
Ai njoftoi se qeveria spanjolle do të ndryshojë ligjin për t’i mbajtur drejtuesit e platformave personalisht dhe ligjërisht përgjegjës për shkeljet që ndodhin në platformat që ata menaxhojnë.
“Do ta ndryshojmë ligjin në Spanjë për t’i mbajtur drejtuesit e platformave ligjërisht përgjegjës për shumë shkelje që ndodhin në platformat e tyre”, theksoi ai.
Një tjetër masë e rëndësishme lidhet me algoritmet. Sipas Sánchez, manipulimi algoritmik dhe përhapja e përmbajtjes së paligjshme do të konsiderohen vepra penale.
“Manipulimi algoritmik dhe amplifikimi i përmbajtjes së paligjshme do të shndërrohen në një vepër të re penale”, tha kryeministri.
Sánchez paralajmëroi gjithashtu krijimin e një sistemi për gjurmimin e urrejtjes dhe polarizimit në internet.
“Do të zbatojmë një sistem që ndjek, mat dhe ekspozon mënyrën se si platformat digjitale nxisin përçarjen dhe amplifikojnë urrejtjen”, u shpreh ai.
Në fokus të veçantë është edhe mbrojtja e fëmijëve. Kryeministri njoftoi se Spanja do t’u ndalojë të miturve nën moshën 16 vjeç aksesin në rrjetet sociale.
“Platformat do të jenë të detyruara të zbatojnë verifikim real të moshës – jo thjesht kuti kontrolli, por barriera që funksionojnë”, theksoi Sánchez.
Në fund, ai bëri të ditur se qeveria do të ndërmarrë hapa konkretë ligjorë ndaj disa platformave të mëdha.
“Qeveria ime do të punojë me prokurorinë publike për të hetuar dhe ndjekur shkeljet e kryera nga Grok, TikTok dhe Instagram”, përfundoi kryeministri spanjoll.
Ka reaguar menjëherë pronari i “X” Elon Musk i cili e ka fyer Sanchezin.
“Sanchezi i ndryrë është tiran dhe tradhtarë për popullin e Spanjés”, ka shkruar Musk në X.

Gjatë ditës së sotme policia franceze ka bastisur zyrat e X-it në Paris dhe e ka ftuar Muskun në bisedë informative.



