Saliu: Opozita akuzon VLEN-in, por hesht për qindra punësimet e shqiptarëve në Spitalin e Tetovës

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke kritikuar opozitën për akuzat e vazhdueshme ndaj koalicionit qeverisës dhe duke theksuar, siç shprehet ajo, mungesën e reagimeve për punësimet e shqiptarëve në Spitalin e Tetovës.
„Akoma pa i hapur mirë sytë, që në orët e hershme të mëngjesit, opozita ka nisur me akuzat ndaj VLEN-it“, ka shkruar Saliu.
Ajo ka ngritur pyetjen se pse, sipas saj, opozita nuk i përmend qindra shqiptarët e punësuar në Spitalin e Tetovës.
„Pse nuk i përmend askush punësimet në Spitalin e Tetovës, ku janë punësuar qindra shqiptarë?“, ka theksuar deputetja.
Saliu ka kritikuar gjithashtu veprimet e opozitës në Kuvend, duke pretenduar se agjenda e saj kryesore është bllokimi i punimeve parlamentare përmes pauzave dhe procedurave.
Në reagimin e saj, deputetja ka përmendur edhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve në pesë pika kufitare me Shqipërinë, përkatësisht në Qafë Thanë, Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht.
„VLEN-i është në punë. Dje lehtësuam qarkullimin për qytetarët në pesë pika kufitare me Shqipërinë. Me Kosovën e nisëm, me Shqipërinë po e përmbyllim!“, ka shkruar Saliu.



