17.5 milionë euro të groposura në pyje e të fshehura në depo, zbulohen gjatë hetimit të një ish ministri të Orbanit

Autoritetet hungareze kanë sekuestruar rreth 17.5 milionë euro para të gatshme, një pjesë e të cilave ishte groposur në tokë dhe fshehur në pyje, depo, objekte bujqësore dhe prona banimi, në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj një ish-ministri të qeverisë së Viktor Orbanit.

Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive njoftoi se paratë janë zbuluar në disa lokacione, përfshirë pyje, objekte bujqësore, magazina dhe një kasafortë të fshehur në një vend sekret.

Gjatë kontrolleve në Budapest dhe në tri qarqe të tjera të Hungarisë, hetuesit kanë gjetur më shumë se pesë miliardë forinta, 2.6 milionë euro dhe 1.2 milionë dollarë. Vlera e përgjithshme e parave të sekuestruara arrin rreth 17.5 milionë euro, raportoi Associated Press.

Sekuestrimi është pjesë e hetimeve ndaj ish-ministrit të Zhvillimit Kombëtar, Miklós Seszták, i cili dyshohet se ka përfituar më shumë se 33 milionë euro përmes ryshfeteve dhe komisioneve të paligjshme, të lidhura me prokurimin e automjeteve për kompaninë shtetërore të autobusëve dhe projekte të ndërtimit të financuara nga shteti. Ai u arrestua në fund të shtatorit.

Një video e publikuar nga Zyra Kombëtare në Facebook tregon hetuesit pranë grumbujve të mëdhenj të parave të renditura në pako, si dhe momentin kur ata gërmojnë në një zonë pyjore për të zbuluar paratë e fshehura.

Magyar: Fundi zyrtar i mafies Fidesz-KDNP

Kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili ka paralajmëruar hetime për korrupsionin gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit dhe rikthimin e pasurive shtetërore të përfituara në mënyrë të paligjshme, e ka përshëndetur zbulimin e parave.

Ai bëri të ditur se 12 punonjës të Thesarit Shtetëror të Hungarisë kanë punuar për tetë orë për numërimin e parave të sekuestruara, duke përdorur pesë makina për numërimin e kartëmonedhave.

Magyar e cilësoi këtë zbulim si “fundin zyrtar të mafies Fidesz-KDNP”, duke iu referuar koalicionit të mëparshëm qeverisës të Orbanit.

Ai e akuzoi ish-kryeministrin se kishte qëndruar në krye të një organizate kriminale, ndërsa Orban i ka hedhur poshtë këto akuza, duke pretenduar se hetimet janë pjesë e një përndjekjeje politike.

Zbulimi i parave është rasti më i fundit në një seri hetimesh ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë së Orbanit. Të hënën, policia arrestoi edhe vëllain më të vogël të ish-kryeministrit, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi trafikimin e njerëzve dhe keqpërdorimin e ndikimit.

Hetime po zhvillohen gjithashtu ndaj ish-guvernatorit të Bankës Qendrore, György Matolcsy, i cili dyshohet për keqpërdorim të mjeteve nga fondacioni i bankës qendrore, ku ishin investuar 288 miliardë forinta, përkatësisht rreth 740 milionë euro nga fondet publike.

Ndërkohë, Orban, partia e të cilit Fidesz humbi zgjedhjet e prillit përballë partisë proevropiane Tisza, të udhëhequr nga Péter Magyar, ka dënuar hetimet dhe arrestimet, duke i cilësuar ato si “tiraní” politike të drejtuara kundër tij.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button