Sali nga Lisbona: Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj standardeve evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, njoftoi se ka marrë pjesë në sesionin e zgjeruar të Bordit Drejtues të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogat (EUDA), i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë.
Sali bëri të ditur se në takim janë diskutuar sfidat aktuale të sigurisë, lufta kundër trafikimit të drogës dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e këtyre çështjeve.
“Diskutuam për sfidat aktuale të sigurisë, trafikimin e drogës dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, theksoi Sali.
Ai nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në procesin e harmonizimit të politikave dhe legjislacionit me standardet evropiane, si dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në harmonizimin e politikave dhe legjislacionit me standardet evropiane, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e bashkëpunimit me partnerët tanë evropianë”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali.
Sipas tij, avancimi i bashkëpunimit me partnerët evropianë mbetet pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit evropian të vendit.
