Sali nga Bratisllava: Integrimi në BE kërkon institucione të fuqishme dhe konsensus politik

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë vizitës së tij në Bratisllavë, ka zhvilluar takime në Parlamentin e Sllovakisë, ku është diskutuar roli i parlamenteve në procesin e integrimit evropian dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë.

Sali theksoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje e qeverive, por kërkon angazhim të fuqishëm edhe nga parlamentet.

“Procesi i anëtarësimit në BE nuk është vetëm proces ndërmjet qeverive. Parlamentet kanë rol thelbësor në harmonizimin e legjislacionit me acquis të BE-së, mbikëqyrjen e reformave dhe ndërtimin e konsensusit të gjerë politik rreth agjendës evropiane”, deklaroi Sali.

Gjatë takimeve, sipas tij, është shprehur interes për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet komisioneve për çështje evropiane, shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës së Sllovakisë në procesin e integrimit evropian, si dhe vendosjen e kontakteve më të rregullta ndërmjet deputetëve dhe administratave parlamentare.

“Shprehëm interes për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet komisioneve për çështje evropiane, shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës sllovake, si dhe kontakte më të rregullta ndërmjet deputetëve dhe administratave parlamentare”, tha ministri për Çështje Evropiane.

Sali vlerësoi se mbështetja dhe bashkëpunimi me vendet anëtare të BE-së janë të rëndësishme për avancimin e procesit evropian të vendit.

“Integrimi evropian kërkon institucione të fuqishme, konsensus politik dhe partnerë të besueshëm. Sllovakia është një prej tyre”, theksoi Sali.

Vizita në Sllovaki vjen në kuadër të përpjekjeve për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button