Sali: Autostrada Shkup–Bllacë po bëhet realitet, Kosova më afër se kurrë

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka vlerësuar se autostrada Shkup–Bllacë po hyn në fazën e realizimit, duke e cilësuar projektin si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin.
Sipas tij, me një investim prej rreth 200 milionë eurosh, projekti do të afrojë më shumë se kurrë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjen rrugore mes dy vendeve.
“Me një investim prej rreth 200 milionë eurosh, autostrada Shkup–Bllacë po kalon në fazën e realizimit, duke u shndërruar në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin”, theksoi Sali.
Ai nënvizoi se projekti strategjik do të shkurtojë ndjeshëm distancën dhe kohën e udhëtimit ndërmjet dy shteteve, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve, tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Sali theksoi se periudha e premtimeve pa rezultate konkrete ka përfunduar dhe se projektet madhore tashmë po marrin formë në terren.
“Iku koha e premtimeve të pafundme pa rezultate konkrete. Sot, projektet e mëdha po marrin formë dhe po realizohen në terren”, deklaroi ai.
Në fund, zëvendëskryeministri i parë vlerësoi se autostrada Shkup–Bllacë do të forcojë më tej raportet ndërmjet dy vendeve dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe rajonal.
“Është një lidhje që forcon raportet mes dy vendeve dhe hap perspektiva të reja zhvillimi”, përfundoi Sali.



