Rusia vendos themeluesin e Telegramit në listën e terroristëve dhe ekstremistëve

Agjencia ruse për monitorimin financiar, Rosfinmonitoring, shtoi të enjten themeluesin e Telegramit, Pavel Durov, në listën e saj të terroristëve dhe ekstremistëve, transmeton Anadolu.
Vendimi vjen pas akuzave penale të bëra publike në fillim të kësaj jave, ku Durov akuzohet për ndihmë ndaj aktiviteteve terroriste. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha të mërkurën se ka nisur procedurat për vendosjen e bashkëthemeluesit të Telegramit në listën ndërkombëtare të personave në kërkim.
FSB-ja pretendon se administrata e Telegramit nuk ka hequr kanalet, bisedat dhe bot-et e përdorura nga shërbimet e inteligjencës ukrainase, si dhe nga organizatat terroriste dhe ekstremiste, për përgatitjen dhe koordinimin e sulmeve, vrasjeve masive dhe mashtrimeve brenda Rusisë, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga autoritetet ruse.
Sipas FSB-së, rregullatori rus i komunikimeve, Roskomnadzor, i ka dërguar Telegramit më shumë se 150 mijë kërkesa për heqjen e përmbajtjeve të paligjshme, por këto kërkesa janë injoruar.
Shërbimi i sigurisë tha gjithashtu se në Rusi janë regjistruar më shumë se 153 mijë krime që lidhen me Telegramin që nga viti 2022, përfshirë planifikimin e sulmit të vitit 2024 në sallën e koncerteve Crocus pranë Moskës dhe vrasjet e blogerit ushtarak rus Vladlen Tatarsky, gazetares Darya Dugina dhe disa zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë, përfshirë gjenerallejtënantin Igor Kirillov.
Në një reagim pas vendimit, Durov ky vendim i Rusisë është në shenjë hakmarrjeje për refuzimin e tij për t’u pajtuar me “kërkesat e qeverisë për mbikëqyrje masive dhe censurë në platformën e mesazheve”.
“Rusia më ka njohur si ‘terrorist’ për shkak se refuzoj të përmbush kërkesat e saj për mbikëqyrje masive dhe censurë në Telegram”, shkroi Durov në Telegram.
“Sipas ligjit rus, tani më ndalohet ‘shpërndarja e informacionit në internet’. Zyrtarët rusë me sa duket janë ngatërruar se kush mund ta ndalojë kë të përdorë internetin”, shtoi ai.



