Reshjet në Kosovë shkaktojnë përmbytje në disa zona

Reshjet e dendura mëngjesin e sotëm kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, sikurse në Rahovec, Prizren, Ferizaj dhe Viti, raporton Anadolu.
Banorët e zonave të prekura kanë raportuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore, prona private dhe rrugë, ndërsa vlerësimi zyrtar i dëmeve do të kryhet nga institucionet përkatëse.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vështirësi edhe në rrugën Ferizaj-Shkup, ku sipas pamjeve që janë publikuar në rrjetet sociale, kamionët dhe automjete të tjera kanë lëvizur me vështirësi.
Por, në një sqarim Komuna e Ferizaj ka njoftuar se reshjet intensive dhe të pandërprera kanë shkaktuar disa vështirësi në qarkullim rrugor, porse gjendja sipas tyre është nën kontroll dhe ekipet e emergjencës janë në terren në intervenim të rasteve që janë paraqitur dhe po paraqiten.
Më tej thuhet se kushtet e tilla atmosferike do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës, ndaj komuna u ka bërë qytetarëve apel për kujdes.
Deri më tani nuk ka raportime zyrtare për persona të lënduar apo dëme të mëdha materiale.
Ekipet komunale kanë dalë në terren për sanimin e pasojave pas reshjeve të shiut.



