Ramiz Merko përballet edhe me një aktakuzë, rrënoi objektin pa të drejtë

Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave lidhur me rrënimin e shtëpisë-muze të mbrojtur të autorit të himnit maqedonas, Vllado Maleski, që ndodhi në tetor të vitit të kaluar. Në aktakuzë është përfshirë edhe ish-kryetari i Strugës, Ramiz Merko, transmeton Portalb.mk.

I akuzuari i parë në rast është menaxheri i një kompanie ndërtimore nga fshati Veleshtë i Strugës, i cili, si investitor dhe kontraktor, e ka rrënuar një shtëpi të vjetër të Strugës, ndërsa gjatë hapjes së gropës për objektin e ri me bodrum, përdhes dhe kat, ka dëmtuar themelet e murit jugor të shtëpisë-muze fqinje të Vllado Maleskit. Edhe pse Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e kishte obliguar të përgatiste një projekt ideor me mënyrën e përcaktuar saktë të rrënimit për shkak të afërsisë së drejtpërdrejtë me shtëpinë e mbrojtur të Vllado Maleskit, ai ka përgatitur vetëm projektin bazë.

“Duke gërmuar për hapësirat e bodrumit të objektit të ri, i akuzuari ka kryer gërmime të gjera me ekskavator, me çka ka dëmtuar murin e përbashkët ndarës ndërmjet dy objekteve, gjë që ka çuar në destabilizimin dhe rrënimin e shtëpisë së mbrojtur si trashëgimi kulturore”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike në Strugë.

Në aktakuzë janë përfshirë edhe një inxhinier ndërtimi dhe një arkitekt nga Sektori për Urbanizëm i Komunës së Strugës, të cilët e kanë përgatitur dhe miratuar lejen e ndërtimit pa projektin ideor për rrënimin e objektit të mëparshëm. I akuzuar është edhe ish-kryetari i Strugës, Ramiz Merko, i cili, në kundërshtim me vendimin e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i ka lejuar të akuzuarit të parë që, përveç përdhesit dhe katit, të ndërtojë edhe bodrum në objekt.

Për ndihmë ndaj të akuzuarit të parë është akuzuar edhe një arkitekte-konservatore nga Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeu i Ohrit, e cila ka dhënë mendim pozitiv për përputhshmërinë e projektit me udhëzimet e Drejtorisë dhe ka vërtetuar dokumentacionin teknik, me të cilin, në kundërshtim me vendimin e Drejtorisë, ishte paraparë ndërtimi i bodrumit.

“Me veprimet e të akuzuarve, më 15.10.2025, në rrugën ‘Braqa Milladinovci’ në Strugë është dëmtuar një shtëpi e vjetër e Strugës, e shpallur si trashëgimi kulturore me rëndësi”, thonë nga Prokuroria, duke shtuar se ndaj personave janë ngritur akuza për veprën penale “dëmtim ose shkatërrim i të mirave nën mbrojtje të përkohshme ose trashëgimisë kulturore apo rariteteve natyrore”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button